693 të arrestuar vetëm në një muaj nga komunistët

Nga Kujto.al
693 të arrestuar vetëm në një muaj nga komunistët

Me ardhjen në pushtet, Partia Komuniste filloi arrestimet dhe vjedhjet ndaj popullsisë.

Sipas të dhënave në janar 1945, ka patur 693 të arrestuar.

Më poshtë do të gjeni artikullin e plotë:

Menjëherë, pasi komunistët vendosën pushtetin, veprimi i tyre i parë ishin arrestimet dhe vjedhjet e organizuara ndaj popullsisë. U shkatërrua gjithë shteti dhe struktura bazë e shoqërisë. Statistikat tregojnë se vetëm “muaji i parë i lirisë”, pra janari i vitit 1945 ka pasur 693 të arrestuar, një shifër e lartë kjo për një vend që nuk kalonte as 1 milion banorët. Spikat në këtë shifër të ndarë sipas prefekturave, padyshim Shkodra, e cila ka rreth gjysmën e të arrestuarve. Si mesatare i bie që gjatë këtij muaji arrestoheshin rreth 23 persona në ditë, ndërsa gjysma e tyre vetëm në Shkodër. Internimet e organizuara nisën në mars 1945 me epiqendra kryesore Beratin për banorët e veriut dhe Krujën për ata të jugut.

Të evidentuarit për t’u internuar ishin kryesisht familjarë të kategorive:

-Të arratisurve brenda e jashtë vendit

-Të dezertorëve partizanë

-Me origjinë të quajtur armike

Internimi përdorej si masë pengu dhe përfundonte nëse i arratisuri i jepte fund veprimit të tij. Por si dukuri është hasur edhe metoda e dërgimit të ngadalshëm në kamp.

Përgjithësisht, nga fshati i vet e deri në kampin e përkohshëm, të internuarit shkonin në këmbë. Gra, pleq e fëmijë të vegjël, të paushqyer, ecnin disa kilometra rrugë.

Historitë e të internuarve për vitet 1945-1953, hasen fare pak nëpër dokumente. Disa dokumente kanë shpëtuar rastësisht. Me grumbullimin e elementit kundërshtar u morën brigadat e Mbrojtjes së Popullit që ishin në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare, por që për arsye operacionale vareshin edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme. Të internuarit grumbulloheshin në pika të caktuara dhe dërgoheshin në kamp, pasi të ishin krijuar kushtet (e sigurisë) atje. Në rast se masat e sigurisë nuk ishin të plota, rastiste që në vendin e caktuar të Brigadës së Mbrojtjes së Popullit, të internuarit të rrinin disa ditë. Dokumenti bashkëlidhur tregon evidencën e të internuarve gjatë fazës që mbahej në kampin paraprak, para se të dërgohej në Berat. Sa për të mbajtur frymën gjallë, atyre u është dhënë bukë misri.

Marrë nga portali Kujto.al.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>