Shtatë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese kanë vendosur, të enjten, që të nisin procedurat për zgjedhjen e kryetarit të ri të gjykatës.
Gjatë mbledhjes së mbajtur të enjten, anëtarët po ashtu vendosën që kryetarja ende në detyrë, Vitore Tusha të mbajë këtë pozicion deri në në përfundimin e procesit të zgjedhjes së Kryetarit të ri.
Kjo ishte mbledhja e parë e shtatë anëtarëve, tre prej të cilëve u zgjodhën në dhjetor.
Aktualisht GJK përbëhet nga shtatë anëtarë: tre prej tyre janë zgjedhur nga Presidenti (Marsida Xhaferllari, Përparim Kalo dhe Sonila Bejtja) dhe tre nga Kuvendi (Fiona Papajorgji, Elsa Toska dhe Altin Binaj); ndërsa kryetarja në detyrë është Vitore Tusha, e vetmja anëtarë e mbetur nga Gjykata e kaluar Kushtetuese.
Mbeten ende për tu zgjedhur dhe tre anëtarë të tjerë nga Gjykata e Lartë, një prej të cilëve do të zëvendësojë Tushën, mandati i së cilës ka mbaruar.
Si zgjidhet kryetari i Gjykatës Kushtetuese?
Sipas ligjit për GJK-në, kryetari i saj zgjidhet me votim të fshehtë, me shumicën e votave të të gjithë gjyqtarëve të Gjykatës Kushtuese, për një periudhë 3-vjeçare me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë.
Seanca për zgjedhjen e Kryetarit drejtohet nga gjyqtari më i vjetër në detyrë.
Në rast se ka më shumë se një kandidat dhe gjatë votimit asnjëri prej tyre nuk merr shumicën e parashikuar të votave, bëhet një votim i ri dhe, pas këtij, vijohet me votimin mes kandidatëve që kanë marrë numrin më të madh të votave.
Në përfundim të këtij votimi shpallet i zgjedhur kandidati që ka marrë shumicën e votave. Në rast se asnjë nga kandidatët nuk ka marrë shumicën e votave ose votat janë ndarë në mënyrë të barabartë, kryetari caktohet me short.