Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry bëri sot një ndalesë tre orëshe në Tiranë. Ai u prit në Aeroportin Nënë Tereza nga Presidenti Nishani dhe pati takime me Kryeministrin Rama, kryetarin e opozitës Lulzim Basha, Ministrin e Jashtëm Bushati dhe disa përfaqësues të shoqërisë civile.
Në konferencën për shtyp, në përfundim të takimeve, sekretari Kerry deklaroi se: “reforma në drejtësi kërkon mbështetjen e çdo shqiptari. SHBA është këtu në krahun tuaj, por në fund vetëm shqiptarët mund të miratojnë ligjet e duhura dhe të këmbëngulin për zbatimin e tyre.” Sekretari amerikan përfundoi vizitën e tij në mesditë.
Të gjithë drejtuesit e lartë të shtetit, në deklaratat e tyre, u shprehën se tema kryesore e bisedës me Sekretarin amerikan ishte reforma në drejtësi.
Nuk dihet ende nëse është diskutuar kërkesa e SHBA-ve për strehimin e muxhahedinë iranianë në Shqipëri. Kjo e fundit u përfol për disa ditë me rradhë, në media, si arsyeja e vërtetë e ardhjes së Sekretarit Kerry në Shqipëri.