Pronarët e biznesit të vogël protestuan sot përpara bashkisë së Tiranës, kundër rritjes së taksave vendore. Protestuesit u shprehën se rritja e taksave do të sjellë falimentin e shumë bizneseve.
“Kryetari i bashkisë të ulë taksat 10-fish. Nëse ai nuk ul taksat më shumë sesa qeveria kaluar, ateherë të lërë zyrën e tij, pasi ka dhënë shumë premtime,” u shprehën protestuesit.
Kryetari i Bashkisë Veliaj iu përgjigj protestuesve, duke u shprehur se “ata po drejtohen nga dy ish drejtorë të Saliut për naftën.” Zoti Veliaj tha se nëse bizneset nuk arrijnë të paguajnë taksat ndaj qytetetit, atëherë ata duhet t’i lirojnë hapësirat publike.
Taksat për të cilat protestojnë sipërmarrësit janë ato për tabelën identifikuese e reklamuese dhe taksa për zënien e hapësirave publike.
Taksa për tabelën, si ato identifikuese, reklamuese, qofshin elektronike apo jo, deri më tani, ishte 120 lekë për metër katrorë në vit për tabelat deri në 4 m2. Tani, për një tabelë mbi 2 metër katrorë një biznes duhet të paguajë deri në 45 mijë lekë në vit, ndërsa për një tabelë elektronike duhet paguar 90 mijë lekë për një metër katror, në vit.
Në 13 komunat që iu bashkuan Bashkisë së Tiranës nga reforma adminstrative, një metër katror tabelë do të kushtojë 31,500 lekë në vit, ndërsa për tabelat elektronike do të paguhet 63 mijë lekë për një metër katror, në vit.
Taksa për zënien dhe shftytëzimin e hapësirave publike nga 120 lekë për metër katrorë në muaj, u rrit në nga 750 lekë për metër katror deri në 1500 lekë për metër katror në muaj, në varësi të zonës ku ndodhet biznesi. Sa më afër qendrës, unazës dhe zonave më të populluara aq më shumë paguhet.
Taksë e re që i është shtuar bizneseve është ajo e arsimit. Një biznes do të paguajë nga 4 mijë deri në 37 mijë lekë në vit, në varësi të aktivitetit. Kjo taksë do të paguhet për 7 vite.
Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj dhe Këshilli Bashkiak miratuan, më datë 30 dhjetor 2015, rritjen e këtyre taksave vendore për biznesin e vogël.
Artikuj të lidhur:
Sa rëndojnë taksat e reja vendore mbi familjet dhe bizneset – Exit shpjegon