9 maji shënon Ditën e Europës të vendosur nga Bashkimi Europian në përkujtim të Deklaratës së Schumanit.
Më 9 maj 1950, ministri i Jashtëm i Francës, Robert Schuman dha një deklaratë për shtyp ku i bëri thirrje Francës, Gjermanisë dhe vendeve të tjera evropiane për të bashkuar prodhimin e qymyrit dhe çelikut nën një institucion të vetëm.
Ky quhet si hapi i parë drejt krijimit të asaj që sot njihet si BE.
Dita e Europës u vendos zyrtarisht që të ishte 9 maji në Samitin e Milanos në 1985, nga krerët e Komunitetit Europian që sot njihet si Bashkimi Europian.
Për punonjësit e institucioneve të Bashkimit Evropian kjo ditë është pushim. Në vitin 2019, ajo u shpall festë zyrtare në Luksemburg për të gjithë qytetarët.
Disa nga krerët e insitucioneve shqiptare kanë uruar këtë ditë.
Kreu i Parlamentit, Gramoz Ruçi ka përshëndetur Ditën e Europës duke shkruar ndër të tjera se “së shpejti, kufijtë e Europës politike afrohen me ata të Europës kulturore”.
Kryeministri Rama ka uruar Ditën e Europës përmes një video ku tregohet në mënyrë artistike se si funksionon bashkëpunimi në BE.
Presdenti Ilir Meta në mesazhin e tij në këtë ditë ka bërë thirrje për të ecur sa më shpejtë drejt integrimit europian.
Ndërsa ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka ka uruar Ditën e Europës, duke shprehur besimin se e ardhmja e Shqipërisë dhe rajonit do të jetë në Europë dhe se nuk do të kompromentohen në asnjë lloj skenari.