Rreth 96 milion ose 29 përqind e të rriturve të moshës 15-64, në Bashkimin Evropian mendohet se kanë përdorur drogëra të paktën një herë në jetën e tyre.
Ky është përfundimi i studimit të Qendrës Evropiane të Drogave (EMCDDA), e cila thekson se shifrat konsiderohen si një vlerësim minimal i situatës reale, për shkak të paragjykimeve ndaj raportit dhe mos tregimit të së vërtetës nga shumë qytetarë.
Disa nga gjetjet e studimit janë:
– Përdorimi i drogës raportohet më shpesh nga meshkujt (57.8 milion) krahasuar me femrat (38.4 milion).
– Gjatë vitit të fundit, të paktën 20 milion të rinj të moshës 15-34 vjeç kanë përdorur drogëra.
– Droga më e provuar, si nga femrat dhe nga meshkujt, është kanabisi.
– Pas saj vjen kokaina, e përdorur nga 12.1 milion meshkuj dhe 5.8 milion femra; ekstazia e përdorur nga 9.1 milion meshkuj dhe 4.6 milion femra; amfetamina e përdorur nga 8.1 milion meshkuj dhe 4.1 milion femra.
– Nivelet e përdorimit të kanabisit gjatë gjithë jetës ndryshojnë shumë midis vendeve, duke filluar nga 4 për qind e të rriturve në Maltë deri në 45 për qind në Francë.