Partia Demokratike deklaroi se konfirmimi i Gjovalin Lokës është një shembull flagrant i kriminalizimit të Policisë.
Në një deklaratë për shtyp, ish deputeti i PD, Enkelejd Alibeaj pohoi se Policia e Shtetit i është dorëzuar pa kushte organit që mbajti nën terror vendin për 45 vjet.
Alibeaj pohoi se Loka duhet të largohej nga rradhët e policise jo vetëm se ka qënë anëtar i ish-Sigurimit të Shtetit, por dhe se ka gënjyer në formularët e vetdeklarimit.
“Numri 2 i Policisë së Shtetit do të duhej të dëbohej nga Policia, së paku për arsyen se ligji i vetingut në polici, shkruan e bardha mbi të zezë, në nenin 38 pika “g” se qenia “anëtar i ish-sigurimit të shtetit” përbën kusht skualifikues.
Jo vetëm kaq! Numri 2 i Policisë së Shtetit do të duhej të dëbohej edhe për faktin, se e fshehu një fakt të tillë në formularët e vetëdeklarimit. Neni 62 i ligjit të vetingut në polici përcakton, shprehimisht, se mospasqyrimi i të dhënave përbën në vetvete shkak për shkarkim nga detyra.”
Alibeaj pohoi se 7 vitet e fundit më shumë se “500 sigurimsa të tjerë që janë rifutur dhe punojnë në nivele të larta të strukturës së Policisë së Shtetit.”
Ai akuzoi drejtorin e Përgjithshëm Ardi Veliu se ka gënjyer mbi ekzistencën e ish sigurimsave në Policinë e Shtetit.
“Kjo është një arsye më shumë përse shqiptarët, në rastin më të parë, do ta rrëzojnë me votë këtë regjim autokratik, duke i dhënë vetes një shans real për të zgjedhur një qeveri dhe kryeministër normal, që ka të parin interesin e qytetarëve”, përfundoi Alibeaj.