Planeti ka humbur 28 trilionë ton akull në 26 vite

Nga Exit News
Planeti ka humbur 28 trilionë ton akull në 26 vite

Rreth 28 trilionë ton akull janë shkrirë nga sipërfaqja e tokës që në 26 vitet e fundit.

Ky është përfundimi i studimit të shkencëtarëve në Mbretërinë e Bashkuar, të cilët kanë analizuar pamjet satelitore të poleve, maleve dhe akullnajave të planetit për të matur se sa akull ka humbur për shkak të ngrohjes globale, nxitur nga rritja e emetimeve të gazrave serë.

“Në të kaluarën studiuesit kanë studiuar zona individuale – siç është Antarktiku ose Grenlanda – ku akulli po shkrihet me shpejtësi. Por kjo është hera e parë që po studiohet e gjithë sasia e akullit që po zhduket nga i gjithë planeti. Ajo që kemi gjetur na ka habitur,” u shprehën shkencëtarët.

Shkencëtarët e përshkruajnë nivelin e humbjes së akullit si “të pabesueshëm” dhe paralajmërojnë se analiza e tyre tregon se rritja e nivelit të deteve dhe oqeaneve, shkaktuar nga shkrirja e akullnajave dhe fletëve të akullit, mund të arrijë deri në një metër deri në fund të shekullit.

“Për ta thënë më shtjesht, çdo centimetër i ngritjes së nivelit të detit do të thotë se rreth një milion njerëz do të duhet të zhvendosen nga vendbanimet e tyre në vende të ulëta”, tha profesori Andy Shepherd, drejtor i Qendrës së Universitetit të Leeds për Vëzhgimin dhe Modelimin Polar.

Shkencëtarët paralajmërojnë gjithashtu se shkrirja e akullit në këto sasi tani po zvogëlon seriozisht aftësinë e planetit për të reflektuar rrezatimin diellor në hapësirë. Akulli i bardhë po zhduket dhe deti i errët ose toka e ekspozuar nën të po thith gjithnjë e më shumë nxehtësi, duke rritur më tej ngrohjen e planetit.

Për më tepër, derdhja e ujit të freskët nga shkrirja e akullnajave dhe pllakave të akullit po shkakton ndërprerje të mëdha në shëndetin biologjik të ujërave të Arktikut dhe Antarktikut, ndërsa humbja e akullnajave në vargmalet malore kërcënon të fshijë burimet e ujit të freskët nga i cili varen shumë komunitete lokale.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>