Presidenti Trump ka miratuar, mbrëmjen e së dielës, përdorimin e plazmës si trajtim kundër Covid, me shpresën se ai ‘do të shpëtojë jetë të shumta’.
Gjatë një takimi me gazetarët, Trump dhe Sekretari i Shëndetësisë Alex Azar pohuan se sipas studimeve të bëra deri tani, tek pacientët që janë trajtuar me plazëm ka pasur një ulje prej 35 për qindësh të vdekshmërisë tek pacientët nën 80 vjeç, që nuk kanë qënë në terapi intensive.
“Ky është një përparim i madh për trajtimin e pacientëve,” tha Sekretari Azar.
Trajtimi me plazëm do të thotë marrja e plazmës nga pacientë që e kanë kaluar Covid-19 dhe kanë antitrupa në gjak.
Autorizimi i presidentit pritet që ta bëjë më të thjeshtë procesin e marrjes së plazmës dhe shtimin e personave të gatshëm ta dhurojnë atë.
Njoftimi për autorizimin e terapisë vjen pasi Trumpi ka bërë presion të jashtëzakonshëm në agjencitë federale për të testuar dhe miratuar trajtime të reja, e veçanërisht, një vaksinë kundër koronavirusit që tashmë ka vrarë më shumë se 170 mijë amerikanë.
Exit News ka shpjeguar më parë se çfarë është terapia e plazmës, të cilën Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se mund ta përdorë dhe tek pacientët në Shqipëri.
Çfarë është ‘terapia e plazmës’?
Terapia e plazmës është një trajtim eksperimental që disa mjekë po përdorin për pacientët e infektuar me Covid-19.
Deri më tani, 8 muaj pas shpërthimit të pandemisë, ende nuk ka një ilaç zyrtar që lufton virusin apo një vaksinë që e parandalon atë, ndaj mjekët po tentojë alternativa të tjera, një prej të cilave ajo me plazëm.
Njerëzit që e kanë kaluar Covid-19 kanë antitrupa – proteina që trupi i përdor për të luftuar infeksionet – ndaj sëmundjes në gjakun e tyre. Gjaku i pacientëve të shëruar quhet ‘plazma konvulsive’. Plazma është pjesa e lëngshme e gjakut, në ngjyrë të verdhë, e cila mund të ndahet nga pjesët e tjera të gjakut dhe të përdoret më vete.
Studiuesit shpresojnë që plazma e pacientëve mund t’u jepet personave me Covid-19 për të rritur aftësinë e tyre për të luftuar virusin.
Ajo mund të ndihmojë pacientët të cilët janë të sëmurë dhe nuk kanë shumë simptoma të rënda, që të mos përkeqësohen më tej.
Terapia me plazëm mund të jetë e dobishme për pacientët me Covid-19 të cilët nuk marrin trajtime të tjera.
Plazma mund të ndihmojë gjithashtu njerëzit e tjerë që mund të kenë një rrezik më të lartë të humbasin jetën nga Covidi, siç janë njerëzit me gjendje kronike mjekësore, për shembull, sëmundje të zemrës ose diabeti, ose ata që kanë dobësuar sistemin imunitar. Plazma konvalente mund t’i ndihmojë këta njerëz që të sëmuren nëse marrin COVID-19.
Plazma konvalente mund të konsiderohet si trajtim mbrojtës për punonjësit e shëndetit ose për familjarët e tyre, që janë më të ekspozuar ndaj virusit.
Franca ka nisur një trajtim të ngjashëm
Deri tani një program për trajtimin e pacientëve me plazëm ka nisur në Francë. Mjekët francezë shpresojnë që me tranzfuzionin e plazmës së gjakut, të cilat do të përmbajnë antitrupat e krijuara nga të shëruarit, të mund të përmirësojnë gjendjen e më të sëmurëve.
Testimi do të kryhet me 60 pacientë të spitaleve të Parisit, ku gjysma e tyre do trajtohen me këtë mënyrë dhe pjesa tjetër do të ndiqet paralelisht në mënyrë që të vihen në krahasim rezultatet.
Rezultatet e para pritet të jepen brenda 2 ose 3 javëve të ardhshme.