
48 infermierë të rinj i janë shtuar stafit të gatshëm për të filluar punën në spitalet Covid 3 dhe 4, që priten në hapen në rast të rritjes së numrit të pacientëve me Covid-19.
Njoftimin e bëri ministja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, e cila mirëpriti infermierët e rinj fillimisht në spitalin Infektiv, ku dhe do të trajnohen për protokollet anti-Covid.
Manastirliu tha se tha se shtimi i stafit bëhet në kohën kur spitalet Covid po përgatiten për periudhën vjeshtë-dimër, kur pritet dhe një shtim i numrit të të infektuarve, si dhe nisja e gripit stinor:
“Jam e kënaqur që kemi mundësinë që në një kohë si kjo e sotmja të trajnojmë ekipe të infermierëve, të cilët më pas do të jenë të gatshëm edhe për të përballuar situatën në vjeshtë-dimër.”
“Kemi rreth 150 punonjës që i janë shtuar sistemit shëndetësor, qoftë Qendrës Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’, spitalit “Shefqet Ndroqi” dhe gjithashtu ekipeve të monitorimit, kontrollit dhe inspektimit në terren”, tha ajo.