Presidenti Meta ka ngritur shqetësimin për tkurrjen dhe plakjen e popullsisë në Shqipëri.
Në një postim në Facebook, të martën, presidenti i referohet një shkrimi të gazetës britanike ‘The Economist’, sipas së cilit, në një skenar pesimist, në vitin 2100, popullsia e Shqipërisë do të jetë vetëm 860 mijë banorë.
Meta shkruan se dhe parashikimi për shpejtësinë e plakjes është gjithashtu tronditës: mosha mesatare sivjet është 37.2 vjeç, por pas 10 vjetësh parashikohet të rritet në 42.1 vjeç.
Meta theksoi se qeveritë shqiptare duhet të marrin masa sa më shpejt për të parandaluar këtë fenomen:
“Edhe pse qeveritë në planin afatshkurtër mund të përfitojnë nga emigrimi pasi kështu ulen fiktivisht treguesit e papunësisë apo mund të rriten të ardhurat nga remitancat, në perspektivë mosadresimi i menjëhershëm dhe në mënyrë agresive i këtij fenomeni do të kishte pasoja katastrofike sidomos për një vend si i yni.”
Meta i bëri apel qeverisë që të marrë masa për të motivuar shqiptarët që të ndërtojnë jetën në Shqipëri dhe të mos largohen nga vendi.