Dy avionë rusë kanë hyrë në kontakt radio në mënyrë “të pasigurt, dhe joprofesionale” me avionin B-52 të Forcave Ajrore të SHBA-ve, të premten, kur ky po kalonte mbi Detin e Zi dhe në ujërat ndërkombëtare, sipas një deklarate nga Forcat Ajrore të SHBA-ve në Evropë dhe të Forcave Ajrore të Afrikës për Çështjet Publike, raporton CNN.
Pilotët rusë kaluan brenda 30 metra afër avioni B-52 disa herë dhe gjithashtu shkaktuan turbulencë në B-52 duke kufizuar aftësinë e tij për të manovruar, sipas deklaratës.
“Veprime si këto rrisin mundësinë për përplasje. Ato janë të panevojshme, dhe në kundërshtim me ligjet e trafikut ajror dhe rregullave ndërkombëtare të fluturimit,” tha gjenerali Jeff Harrigian, i Forcave Ajrore të SHBA-ve në Evropë dhe komandanti i Forcave Ajrore të Afrikës.
“Ndërsa avionët rusë po operonin në hapësirën ajrore ndërkombëtare, ata rrezikuan sigurinë e avionëve të tjerë. Ne presim që ata të veprojnë brenda standardeve ndërkombëtare të vendosura për të parandaluar aksidente,” tha ai.
Avionët B-52 të SHBA-ve fluturuan mbi 30 vende të NATO-s “në shenjë solidariteti me NATO-n, për të rritur gatishmërinë dhe për të siguruar mundësi trajnimi që synojnë rritjen e ndërveprimit për të gjitha ekuipazhet pjesëmarrëse nga aleatët e SHBA-ve dhe NATO-s”, sipas një deklarate nga Komanda Evropiane amerikane.
Shfaqja e aftësisë ushtarake amerikane erdhi mes tensioneve të vazhdueshme me Rusinë dhe dyshimeve mbi deklaratat e mëparshme të administratës Trump, për të ulur numrin e trupave amerikane në Evropë.
Angazhimi i SHBA-ve ndaj NATO-s është vënë në pikëpyetje pas kritikave të përsëritura të Presidentit Donald Trump ndaj vendeve anëtare për mos financimin prej 2% të PBB-së në NATO.