Dhjetra qytetarë protestuan sot (14 shtator) për kthimin e 50 fëmijë shqiptarë të mbetur në kampet e Sirisë, përpara godinës së Kryeministrisë. Protesta u njoftua nga familjet e grave dhe fëmijëve të mbetur në kampin ”Al-Haël” të Sirisë.
Ata i kërkojnë qeverisë të ndërhyjë në mënyrë zyrtare tek autoritetet siriane për të kthyer fëmijët.
Këshilltarit i Kryetarit të KMSH-së, Ylli Gurra deklaroi për Report Tv se:
“Çdo qeveri e çdo vendi ka përgjegjësi për qytetarët e vet. I lutem zotit që të gjithë këta familjarë, vëllezër dhe motra që kanë mbetur në Siri, të kthehen në shtëpitë e tyre”.
Më parë, familjarët e dy fëmijëve Eva dhe Endri Dumani i kërkuan qeverisë të ndërhyjë për të mundësuar riatdhesimin e tyre në vend, nga kampi Al Hooti në Siri.
Ata, nëna dhe daja i fëmijëve, u ofruan të paguajnë vetë të gjitha shpenzimet e udhëtimit për fëmijët dhe gratë e mbetura në kamp, por kërkojnë nga qeveria ndërmjetësimin në rrugë zyrtare me Sirinë.