Partia Demokratike akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka dështuar si kryeministër, duke ngritur shtetin e “gangsterëve me banda që vriten ne mes të ditës e me kriminelë që nuk kapen”.
Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gamend Bardhi e quajti atentatin me tritol të martën ndaj Preng Gjinit, “një sulm terrorist”, i ndodhur si “pasojë e politikës së Edi Ramës “hëngshin kokat e njëri-tjetrit”.
“Kryeministri në ikje ka dështuar me vendosjen e rendit dhe sigurisë, sepse ai erdhi dhe qëndroi në pushtet, duke patur ortak krimin dhe bandat”, u shpreh për median Bardhi, ditën e mërkurë.
Ai u shpreh se Rama i ka dhënë kriminelëve leje, licensa, tendera, dhe me paratë e tyre financohen fushatat zgjedhore.
“Tek qytetarët sot mbizotëron opinioni se shteti mungon dhe territori është lënë nën thundrën e krimit, duke krijuar një situatë të përkeqësuar për sigurinë e jetës së tyre”, shtoi Bardhi.
Bardhi akuzoi kryeministrin se po përdor policinë për të dhunuar “opozitën, protestuesit, studentët, naftëtarët, që protestojnë për të drejtat e tyre, por është kokëulur përballë krimit”.
Ai premtoi se qeveria e PD, “e dalë nga zgjedhjet e 25 Prillit, do të ketë rendin dhe sigurinë publike prioritet kryesor të saj”.