Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi, të enjten, nga detyra gjyqtarin e Apelit Administrativ në Tiranë Arjan Qafa.
Vendimi u mor nga Valbona Sanxhaktari, Lulzim Hamitaj dhe Pamela Qirko.
Gjatë hetimit administrativ, KPK gjeti probleme me pasurinë e gjyqtarit dhe bashkëshortes së tij.
KPK kërkoi burimin e pasurisë për shumën prej 80 mijë euro cash, të cilat kishin shërbyer për të vënë pasuri të tjera të përbashkëta mes gjyqtarit dhe bashkëshortes. Gjyqtari tha se ato para kanë qenë të bashkëshortes së tij, me të cilën ka një marrëveshje paramartesore për të menaxhuar të ndarë pasuritë.
KPK e quajti të dyshimtë marrëveshjen pasi gjatë hetimit, u gjet një dëshmi e bashkëshortes në prokurori në vitin 2014, në të cilën ajo thoshte se marrëveshja ishte gojore.
KPK gjeti probleme dhe me deklarimet ndër vite të pasurisë së gjyqtarit. Në total, Qafa dhe bashkëshortja e tij nuk mundën të justifikonin me burime të ligjshme 25 milionë lekë, të përdorura për të blerë dy apartamente. Komisioni dyshoi, po ashtu, se një prej apartamenteve ishte blerë me çmim preferencial.
Një tjetër problem me pasurinë e gjyqtarit ishin fshehja e një prone prej 1500 metrash katrorë tokë bujqësore në Fushë-Arrëz. Gjyqtari tha se ishte vënë në dijeni për pronën në vitin 2016 dhe se nuk kishte përfituar prej saj, madje ai tha se nuk kishte firmosur as dokumentin e marrjes në pronësi.
Edhe Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar lëshoi një vlerësim negative për gjyqtarin Qafa, duke e vlerësuar atë të papërshtatshëm për të vijuar punën.
Arjan Qafa e ka nisur karrierën në vitin 1996 dhe ka punuar si gjyqtar në Bulqizë dhe në Dibër deri në vitin 2010. Në periudhën 2010-2014, Qafa ka punuar si inspektor për Këshillin e Lartë të Drejtësisë, për t’u emëruar më pas si gjyqtar i Gjykatës Administrative të Apelit ku ka vazhduar punën deri më tani.