Grupimi Diaspora për Shqipërinë e Lirë ka ngritur shqetësimin për emërimet e oficerëve të diasporës pranë konsullatave shqiptare në Romë, Athinë, Milano e Selanik.
Sipas DSHL-së, emërimet e Aurela Kondurit në Selanik, Joneda Dodajt në Athinë, Luljeta Cobanajt në Milano dhe Edmond Kumarakut në Romë, jo vetëm që nuk janë bërë përmes procedurave të drejta konkurruese në ambasada, por janë emërime partiake në mungesë të një procesi transparent përzgjedhës.
Përmes një sqarimi në Facebook, DSHL sqaron se emërimet, bërë nga kryeministri Rama, shkelin ligjin për Shërbimin e Jashtëm, sipas së cilit, nuk lejohen të pranohen në shërbimin e Jashtëm personat, të cilët bëjnë pjesë në parti apo shoqatë politike dhe që marrin pjesë në veprimtaritë e organizuara prej tyre.
Por një prej emërimeve, Edmond Kumaraku, ka qenë Kryetar i Partisë Socialiste, Dega Itali.
Kumaraku është gjithashtu ish-konsull në Romë dhe diplomati i parë i shkarkuar gjatë valës së shkarkimeve në misionet diplomatike nga Ministri i Jashtëm në detyrë në vitin 2019 Gent Cakaj, si pasojë e ankesave ndaj tij dhe emërimit nepotik dhe klientelist si dhe lidhjeve me persona të proçeduar penalisht.
Po ashtu, Luljeta Cobanaj, oficerja e sapo emëruar në Milano, ka qenë ish-konsulle në Konsullatën e Përgjithshme të Milanos, e përjashtuar nga shërbimi diplomatik dhe ai konsullor në vitin 2016 pas denoncimeve në Media për abuzime brenda institucionit që ajo drejtonte.
Nisur nga këto fakte, DSHL kërkoi nga qeveria shqiptare të bëjë transparente se mbi cilat baza profesionale nga ato që parashtron ligji, u zgjodhën 4 oficerët e lartpërmendur, si dhe të rishikojë emërimet e paligjshme.
DSHL kërkon që qeveria të rihapë procesin e aplikimit për oficerë në Greqi e Itali, siç e parashikon ligji, duke siguruar një proces transparent e konkurrues për të gjithë ata nga komuniteti shqiptar në vendet përkatëse.