
Mijëra azilkërkues janë vendosur në një strukturë të re të përkohshme në ishullin grek të Lesbos, 10 ditë pasi një zjarr shkatërroi kampin Moria ku ata strehoheshin.
Zjarri la më shumë se 12 mijë refugjatë, shumica e tyre nga Afganistani, Siria dhe vende të ndryshme afrikane, pa strehim, ushqim e ujë.
Rreth 9 mijë prej tyre u vendosën në kampin e ri me çadra, të ngritur nga autoritetet në Kara Tepe pranë një porti.
Të gjithë ata që hynë në kamp u regjistruan dhe u testuan nëse ishin të infektuar me koronavirus.
Të paktën 214 refugjatë u vendosën në karantinë pasi rezultuan të infektuar.