
Të gjitha baret, restorantet dhe vendet e tjera të ngjashme në Angli do të mbyllen në orën 22:00, duke filluar nga kjo e enjte. Masa kufizuese u vendos nga qeveria për të ndaluar përhapjen e koronavirusit, që duket se në Britani ka nisur valën e dytë të infektimeve.
Masa vjen teksa niveli i alarmit të Covid-19 shkoi në ‘nivelin 4’, që do të thotë se transmetimi është “i lartë dhe rritje e numrit të të infektuarve po bëhet në mënyrë eksponenciale”.
Kryeminsitri Boris Johnson gjithashtu pritet të theksojë nevojën që njerëzit të ndjekin udhëzimet e distancës sociale, të veshin maska mbrojtëse dhe të lajnë duart rregullisht.
Të hënën, 4,368 të infektuar të rinj ditorë dhe 11 vdekje u raportuan në MB.
Kufizime të mëtejshme do të njoftohen dhe në Skoci dhe Irlandën e Veriut, të martën.
Gjithashtu nga ora 18:00 e së martës, katër qarqe të tjera në Uellsin jugor do të përballen me masa të reja, duke përfshirë një shtetrrethim në orën 23:00 për restorante dhe baret.