Përfaqësuesit e PD-së dhe LSI-së në Këshilin Politik, Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili komentuan, të martën, vetëm për çështjen e koalicioneve parazgjedhore.
Ata nuk komentuan fare për formulën e listave të hapura, duke lënë të kuptohet se nuk do të kundërshtojnë modelin e propozuar nga PS-ja, në 18 shtator.
Pas mbledhjes së KP-së, Bylykbashi deklaroi se shqetësimi i opozitës është fakti se PS kërkon të ndryshojë rregullat e lojës për koalicionet, kur loja ka filluar:
“Ne kërkojmë ruajtjen e koalicioneve siç janë sot në Kodin Zgjedhor, ndërsa PS kërkon të ndryshojë rregullat e lojës kur loja ka filluar, kur procesi zgjedhor ka filluar.
Ndryshimi i mënyrës së si numërohen votat dhe si ndahen mandatet nuk mund të ndryshohen 6 muaj para zgjedhjeve, siç rekomandon dhe OSBE-ja e Komisioni i Venecias.”
Ndërsa Petrit Vasili i LSI-së akuzoi se shumica socialiste po kërkon ta bëjë Kodin Zgjedhor ‘sipas oreksit të vet, ndërsa opozita kërkon zgjedhje të lira, pa presion.”
Më herët, përfaqësuesi i PS-së Gjiknuri deklaroi se Këshilli Politik nuk do të vijojë punën nëse opozita jashtëparlamentare nuk vjen me propozime konkrete për Kodin Zgjedhor dhe se nuk do të presë pafundësisht opozitën.