Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka takuar të hënën (21 shtator) homologun e tij në Liban, për riatdhesimin e fëmijëve dhe grave shqiptare nga kampi Al Hol në Siri, sipas mediave.
Ndërsa, më 22 shtator, Lleshaj takoi edhe Gjeneralin Abas Ibrahim, i cili mban postin e Drejtorit të Përgjithshëm për çështjet e sigurisë për të njëjtin qëllim.
Dhjetra qytetarë protestuan më 14 shtator për kthimin e 50 fëmijë shqiptarë të mbetur në kampet e Sirisë, përpara godinës së Kryeministrisë. Protesta u njoftua nga familjet e grave dhe fëmijëve të mbetur në kampin ”Al-Hawl” të Sirisë.
Ata i kërkuan qeverisë të ndërhyjë në mënyrë zyrtare tek autoritetet siriane për të kthyer fëmijët.
Më parë, familjarët e dy fëmijëve Eva dhe Endri Dumani i kërkuan qeverisë të ndërhyjë për të mundësuar riatdhesimin e tyre në vend, nga kampi Al Hooti në Siri.
Ata, nëna dhe daja i fëmijëve, u ofruan të paguajnë vetë të gjitha shpenzimet e udhëtimit për fëmijët dhe gratë e mbetura në kamp, por kërkojnë nga qeveria ndërmjetësimin në rrugë zyrtare me Sirinë.