Kryeministri Edi Rama deklaroi, të hënën, se opozita jashtëparlamentare, PD e LSI, nuk mund t’i fitojë zgjedhjet, pavarësisht se çfarë sistemi zgjedhor ka vendi.
Duke folur në kuvend, Rama me tone të ashpra u shpreh:
“Nuk merrni vota ju as me lista të hapura e as të shqyera, se ju e dini popullin budalla. Për sa kohë do mendoni se shqiptarët janë budallenj, ju nuk keni shanc të konkurroni PS-në.”
Kryeministri Rama tha se shumica socialiste nuk ka marrë asnjë përfitim për veten e saj nga reforma zgjedhore dhe se ka pranuar kërkesat e të gjitha palëve:
“Ne kemi arsye për tu mërzitur, më shumë se sa palët që janë në këtë proces brenda apo jashtë parlamentit.”
Ai theksoi se ky parlament po bën më shumë se sa asnjëherë më parë për ndonjë palë që nuk është brenda duke marrë në konsideratë kërkesat e tyre edhe pse janë larguar.