
Mungesa e koordinimit dhe tendencat bllokuese ndërmjet institucioneve kryesore kanë ndikuar në shterpësinë e përmbushjes së kritereve dhe obligimeve që dalin nga marrëdhënia kontraktuese me Bashkimin Evropian, ka thënë Leonora Kryeziu, e cila drejton Institutin e Prishtinës për Studime Politike (PIPS).
Duke komentuar gjetjet e Raportit të Komisionit Evropian për Kosovën, Kryeziu ka përmendur një varg faktorësh, të cilët po e ngadalësojnë perspektivën evropiane të vendit. Sipas saj, qasja e partive politike në raport me shtetin që nuk shohin përtej votuesit të tyre, ka reflektuar në sistemin qeverisës.
“Si pasojë, kemi përfunduar me një administratë publike të stërmadhe, me buxhet enorm, dhe ç’është më e rëndësishmja me funksionim joefikas”, ka thënë Kryeziu në intervistë për “Kohën Ditore”.
Sipas Kryeziut, fokusi i institucioneve duhet të jetë te përmbushja e reformave e jo gjithë angazhimi të bëhet për dialogun me Serbinë, i cili deri më tani nuk ka sjellë rezultatet e synuara.
“Institucionet dhe partitë politike, së pari duhet të shfaqin një vizion dhe platformë për reforma rrënjësore, të cilat janë në përputhje me standardet e BE-së, si dhe do të përmirësonin cilësinë e jetës. Ky duhet të jetë synimi, gjersa raportet politike ose pengesat eventuale të Serbisë duhet trajtuar në aspektin politik”, ka theksuar Kryeziu. Edhe pse Komisioni Evropian ka rikonfirmuar përmbushjen e të gjitha kritereve për liberalizimin e vizave, Kryeziu nuk pret që vizat të hiqen shpejt. Këtë e bazon në kundërshtimin e disa shteteve anëtare, ndër to edhe Franca dhe Holanda.
Mungesë vullneti për adresimin e sfidave
KD: Komisioni Evropian publikoi të martën raportin e Progresit për Kosovën për vitin 2020, i cili dëshmon se Kosova mbetet vendi i fundit në Ballkanin Perëndimor sa i përket përmbushjes së kritereve për anëtarësim? Si e keni parë atë?
Kryeziu: Raporti nuk ka dallime rrënjësore me raportet e kaluara, prandaj nuk jam e befasuar me tekstin. Aty përsëriten pak a shumë të njëjtat thirrje për reformën e administratës publike, reformat në sundimin e ligjit, luftën kundër krimit të organizuar, punën e Parlamentit etj. Gjithashtu, përsëritet thirrja që pavarësisht përparimit në miratimin e ligjeve, zbatimi i tyre efektiv mbetet pezull.
Botuar nga Koha.net