Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) e konsideroi në shkelje të Kushtetutës dhe parimit të barazisë lejimin e kandidimit të kryetarit të partisë në 4 zona.
Në një deklaratë për mediat, KShH u shpreh se ky parashikim bie ndesh me parimet e barazisë dhe të mosdiskriminimit që parashikon neni 18 i Kushtetutës sonë dhe neni 14 i Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (KEDNJ-së).
“KSHH mendon se shtesa e mësipërme që i është bërë nenit 67 të Kodit Zgjedhor bie ndesh me parimet e barazisë dhe të mosdiskriminimit që parashikon neni 18 i Kushtetutës sonë dhe neni 14 i Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (KEDNJ-së).
Rregulli që sanksionohet në ligj se kandidati për deputet mund të regjistrohet vetëm në një zonë zgjedhore, është i drejtë dhe i ligjshëm, por përjashtimi për kryetarët e partive është kompromis që bie ndesh me parimet e përmendura më lart.”
KShH sjell në vëmendje dhe raportin e vitit 2009 të OSBE/ODIHR i cili e konsideron cenim të parimit të barazisë dhe mosdiskriminimit një parashikim të till.
Në përfundim të deklaratës, Komiteti shprehet se nuk ka asnjë arsye që kryetari i partisë të trajtohet ndryshe.