Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha prezantoi, të hënën, platformën anti-mafia që qeveria e tij do të përdorë për të ndaluar koncesionet dhe tenderat korruptivë.
Në një konferencë me gazetarët, Basha njoftoi se platforma anti-mafia do të lejojë anullimin e dhjetra koncesioneve korruptive të qeverisë Rama, si ajo e inceneratorëve:
“Një ndër ligjet e para që do të miratohet dhe zbatohet nga qeveria e PD, do të jetë ligji i ri anti-mafia.
Ligji i ri anti-mafia do të monitorojë çdo konçesion, tender, liçencë korruptive, në thyerje të ligjit.”
Në qeverinë Basha, Drejtoria Anti-Korrupsion do të fokusohet në gjetjen e tenderave dhe koncesioneve klienteliste dhe dërgimin e tyre për hetim në SPAK, e më pas për gjykim në Gjykatën kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Basha theksoi se paratë e marra në mënyrë klienteliste nga kompanitë pranë Ramës do t’i kthehen buxhetit të shtetit:
“Platforma jonë anti-oligarki dhe anti korruosion do të dënojë fajtorët dhe do t’i rikthejë paratë shqiptarëve.
Zgjidhjen ne e kemi konceptuar te mekanizmi anti-mafia, që do të bazohet te parimi ku çdo e ardhur e paligjshme do t’i kalojë buxhetit te shteti.
Ligji i ri anti-mafia vepron ndaj pasurive të kompanive, individëve të përfshirë në kontrata korruptive, të paligjshme. Pasuritë e paligjshme sekuestrohen dhe kalojnë në buxhetin e shtetit.”