![WhatsApp Image at Manastirliu qytetarëve: Maska, mjeti efikas që mund të ndalë një mbyllje të dytë të vendit](https://exit.al/wp-content/uploads/2020/10/WhatsApp-Image-2020-10-20-at-11.01.11.jpeg)
Ministja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu deklaroi, të martën, se mbajta e maskës nga qytetarët është ‘mjeti më efikas’ për të luftuar kundër Covid-19.
Në një dalje publike me task-forcën anti-Covid, Manastiruliu tha:
“Maska është mjeti më efikas dhe ka sjellë në ato vende ku është vendosur në vazhdimësi, ulje të numrit të të infektuarve, shoqëruar me distancimin social dhe masat e higjienës personale.”
Manastirliu i bëri apel qytetarëve që të ndërgjegjësohen për vendosjen e maskave sepse qeveria nuk e do një mbyllje të dytë totale dhe po mundohet ta shmangë atë.
Ajo theksoi se duhet shmangur me çdo kusht kolapsi i sistemit mjekësor, pasi sot mjekët janë të lodhur dhe po vazhdojnë të bëjnë sakrifica të përditshme.
Ministrja tha se po merr masa për kapacitetet e nevojshme për të përballuar sezonin e vjeshtë-dimrit, kur pritet të ketë rritje të të infektuarve dhe atyre që kanë nevojë për shtrim në spital:
“Dy strukturat e tjera [spitalet Covid 3 dhe4] janë të përgatitura për të ofruar shërbim nëse dy spitalet e para tejkalojnë kapacitetet.
Në të tre skenarët përfshijmë dhe spitalet rajonale në strategjinë tonë, që të ofrojmë më shumë shërbim për të infektuarit në rrethe.”