Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj prezantoi planin e qeverisë për të mos pasur më viktima nga aksidentet rrugore në vitin 2050.
Gjatë një takimi me drejtuesit e Policisë Rrugore, të mërkurën, Lleshaj pranoi se në Shqipëri ka ende shumë viktima nga aksidentet rrugore, krahasuar me vendet e BE-së:
“Ne kemi një koeficent të lartë të viktimave në krahasim me BE. BE ka standarte më të larta në botë, ne jemi prapa në këtë fushë.”
Lleshaj u kërkoi drejtuesve të policiës që të fokusohen në punën e tyre në disa drejtime të rëndësishme, nën moton “Vizion zero”, që synon zero viktima nga aksidentet deri në vitin 2050.
Disa nga kërkesat që Lleshaj i bëri policëve ishte të fokusoheshin në kontrollet e qytetarëve që i japin makinës me celular në dorë, atyre që nuk mbajnë rripin e sigurimit, atyre që abuzojnë me alkoolin dhe substancat narkotike, atyre që ngasin biçikletën në shkelje të rregullave, etj.
Po ashtu Lleshaj kërkoi që të luftojë ashpër ‘parkimet dyshe, si virus nga policia e shtetit dhe ajo bashkiake’.