Burgu në Zahari për të dënuarit me probleme mendore drejt mbylljes

Nga Exit News
Burgu në Zahari për të dënuarit me probleme mendore drejt mbylljes

Qeveria Rama kërkon të mbyllë burgun e Zaharisë në Krujë, ku qëndrojnë të dënuarit me probleme mendore.

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, në një interpelancë plenare,  u shpreh se burgu do të mbyllet dhe të burgosurit do të transferohen diku tjetër:

“Interesin tim ka burgu Zahari Krujë, që të mbyllet përfundimisht. Jemi duke marrë masa që me një investim të ri, të mbyllim Zaharinë pas 30 vitesh. Do jetë kjo qeveri që do të mbyllet përfundimisht. Ata të dënuar të moshuar që ndodhen aty do të transferohen diku tjetër.”

Burgu psikiatrik i Zaharisë në Krujë është përfolur shpeshherë për kushte shumë të vështira ku mbahen të burgosurit me probleme mendore.

Prej më shumë se një viti, Komiteti Shqiptar i Helsinkit i ka kërkuar qeverisë mbylljen e burgut.

Pas inspektimeve të shumta , KSHH ka gjetur probleme të shumta me plotësimin e standardeve si mbipopullim i burgut, mungesë e stafit, etj,.

Disa nga problemet kryesore janë:

– Burgu psikiatrik i Zaharisë ka 284 të burgosur, kur kapaciteti maksimal i tij është 196 të burgosur.

– Një një dhomë me sipërfaqe 12 metra katrorë strehohen pesë të dënuar, në kundërshtim me standardet minimale të pranuara nga Këshilli i Europës që thotë se çdo i dënuar duhet të ketë 4-6 metra katrorë hapësirë në dhomë.

– Për 284 të burgosur burgu ka vetëm 2 mjekë psikiatër, një farmacist që punon me kohë të pjesshme dhe shumë pak sanitarë, ndaj në shumicën e kohës nevojat e të burgosurve për trajtim nga mjekët nuk mbulohen.

– Burgu nuk ka sistem ngrohjeje dhe të dënuarit me probleme mendore lejohen të mbajnë mjete ngrohëse nëpër dhoma, çka përbën rrezik për jetën e tyre dhe të të tjerëve.

– Ambientet e brendshme të burgut janë të dëmtuara, me myk dhe lagështi.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>