Kryebashkiaku Erion Veliaj deklaroi të shtunën se Partia Socialiste është e vetmja që ‘i jep dum edhe problematikave 30 vjeçare’, që askush tjetër nuk ka mundur t’i zgjidhë.
Duke folur nga Dajti gjatë një takimi elektoral, Erion Veliaj pëmendi zgjidhjen që qeveria socialiste i dha problemit të plehrave në Sharrë:
“Mbaj mend atë renë e verdhë që vinte nga Sharra, nuk hapnim dot ballkonet, dritaret, edhe ne thonim ‘kur do shpëtojmë?’. Kemi shpëtuar nga djegia në Sharrë dhe e kemi bërë 30% më lirë.
Ne e bëjmë diçka më lirë, më mirë, më shpejt, me cilësi më të lartë në kohë rekord, ne jemi ata që i japin dum edhe problematikave 30 vjeçare.”
Veliaj shprehu besimin se për këtë arsye, shqiptarët do t’i japin mandatin e tretë kryeministrit Rama dhe Partisë Socialiste:
“Sot ne kemi një super mision për të çuar përpara mandatin e tretë të Edi Ramës dhe të Partisë Socialiste në krye të punëve të vendit.”
Si në të gjitha aktivitetet elektorale të muajve të fundit, Veliaj sulmoi liderët e opozitës Lulzim Basha e Monika Kryemadhi, duke deklaruar se jetojnë në vila e kushte luksoze. Veliaj tha se me shumë gjasa të rinjtë e PD-së e LSI-së janë më të afërt me PS-në ndaj duhet t’i bashkohen asaj:
“Duhet të flasim me gocat dhe me gratë e PD-së dhe LSI-së. I ke edhe ti 9 dhoma, 9 banjo për 9 mace? Sepse nëse nuk i ke, ti je më shumë e ngjashme me ne, sesa me ata të tjerët.
Duhet të flasim edhe me gratë demokrate. Duhet t’u themi: goca, çfarë shtetësie keni? Keni shtetësi shqiptare, sepse ata janë me shtetësi holandeze, nuk i votojnë as gratë e tyre.”
Veliaj tha se opozita është e përçarë dhe se të paktën 5 parti do dalin prej saj:
“Hera e parë në histori që PS futet e bashkuar, ku nuk del asnjë parti tjetër për të sfiduar PS. Kjo është hera e parë që pala tjetër, del e përçarë në 5 parti. Do i numëroni, gjatë ditëve që vijnë, 5 parti nga pala tjetër. Imagjinoni nuk bëjnë dot zap shtëpinë e tyre, imagjinoni të qeverisin shtëpitë tonë.”