
Sindikata ndërkombëtare IndustriALL Global Union, përfaqësuese e mbi 50 milion punëtorëve në gjithë botën, i ka bërë thirrje qeverisë Rama të ndërhyjë sa më parë për të zgjidhur problemin me naftëtarët e Ballshit.
Në një postim në Facebook, Sindikata e Naftëtarëve në Shqipëri ka publikuar letrën dërguar Ramës nga IGU-ja dhe shkruan se:
“Për IndustriAll është e papranueshme situata e krijuar dhe presin zgjidhje të menjëhershme.”
Ata i rikujtojnë Ramës se edhe pse e kanë kontaktuar për të njëjtën problematikë në muajin prill, nuk ka pasur zhvillime pozitive.
IGU thekson se situata me naftëtarët e Ballshit, të cilët nuk kanë marrë të paktën 10 paga, është në shkelje të ligjeve të punës dhe të çdo standardi ndërkombëtar.
Naftëtarët e Ballshit prej 28 ditësh janë në grevë urie: 18 ditët e para ishin në grevë 10 naftëtarëve, ndërsa prej 10 ditësh janë në grevë 10 gra naftëtarëve.
Megjithëse gjendja e tyre shëndetësore është përkeqësuar, ato shprehen të vendosur për të vazhduar grevën.