Koloreto Cukali, Drejtori i Këshillit të Medias e ka quajtur të patolerueshme sulmin e zëdhënësit të Presidentit Tedi Blushi ndaj gazetarit Carlo Bollino.
Në një intervistë për Report Tv, të dielën, ai tha se “gjuha agresive dhe sulmuese ndaj gazetarëve pavarësisht se nga cila palë vjen”, duhet të ndalohet:
“Etiketimet të tipit Malavita e përdorura nga zëdhënësi i Presidentit janë të patolerueshme në një ambient të medias së lirë. Gazetarët duhet të bëjnë punën e tyre dhe nuk duhet të sulmohen. Nëse ka fakte të dalin faktet. Gjuha agresive dhe sulmuese ndaj gazetarëve pavarësisht se nga cila palë vjen është e patolerueshme. Gjuha agresive ndaj gazetarëve ka një qëllim, të mbyllësh gojën. Është kërcënim i pastër për gazetarë”.
Ai bëri thirrje që gazetarët të mbrojnë njëri-tjetrin për të mos lejuar sulme të tilla:
“Gjëja e parë që duhet të ndodhë është që komuniteti i gazetarëve të bëhet bashkë për mos lejuar ndaj secilit gazetar dhe secilës media të përdoret një gjuhë e tillë. Duhet të përpiqemi të ndajmë gjënë që është politike, nga media dhe biznesi. Këto lloj interesash nuk duhet të përputhen. Duhet të krijojmë një kulturë ku nje njeri me pushtet nuk mund të sulmojë gazetarin. Kjo kulturë ndryshon duke forcuar solidaritetin mes gazetarëve”.
Përplasja mes institucionit të Presidentit dhe Carlo bollinos, pronarit të televizionit Report Tv, nisi pas një hetimi që bëri kjo e fundit për dhënien e nënshtetësisë shqiptare të huajve.