
Ministria e Financave ka miratuar udhëzimin për faljen e rreth 7200 gjobave të vendosura nga data 8 mars deri në 7 tetor, si dhe për rreth 600 gjoba të vendosur pas tërmetit të 26 nentorit për ndërtime dhe riparime pa leje.
Të gjithë qytetarët e bizneset që janë gjobitur dhe e kanë paguar atë, duhet të bëjnë një kërkesë pranë institucionit që e ka ndëshkuar për të marrë mbrapsht paratë që kanë paguar.
Kërkesa duhet të përmbajë:
- Të dhënat personale të individit ose emrin e subjektit kur është biznes,
- ID e kartës së identiteti ose NIPT,
- IBAN dhe emrin e bankës pranë së cilës kanë llogarinë personale apo llogarinë e subjektit,
- Vërtetimin bankar që llogaria bankare ku do të arkëtohet kthimi i gjobës është aktive,
- Subjektet duhet të paraqesin edhe vërtetimin e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit.
Më pas, do të jetë një strukturë e posaçme që do të vëzhgojë aplikimet dhe do të dërgojë urdhër pagesat në Degën e Thesarit.
Pas miratimit nga thesari, strukturat përgjegjëse e dërgojnë listën pranë bankave respektive, që më pas të bëhet disbursimi i gjobës së paguar.
Pritet që paratë e gjobave tu kthehen qytetarëve para datës 15 nëntor.
Gjobat u vendosën për shkelje karantinimi, shërbimi në ambiente të brendshme, shkelje të orareve, organizim dasmash ose festash që falen.