
Lëvizja Socialiste për Integrim i ka kërkuar SPAK-ut të hetojë aferën në rafinerinë e Ballshit, ku aktualisht naftëtarët janë në grevë urie për shkak të mosmarrjes së pagave të më shumë se një viti.
Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi u shpreh:
“LSI iu drejtua SPAK për të hetuar aferën korruptive në Ballsh. I kërkuam KLSh informacion për situatën në Rafinerinë e Ballshit. Përgjegjësia e shtetit për rafinerinë e Ballshit është e madhe. Ne do të vazhdojmë të ndjekim procesin e naftëtarëve.”
Kryemadhi tha se nga përpunimi i naftës vendase në rafineritë e Ballshit, shteti fiton të paktën 90 milionë euro në vit, por nuk paguan rrogat e naftëtarëve:
“Ne e kemi 70 lekë më shumë naftën se Maqedonia e Veriut. 70 lekë është për naftën vendase. Minimumi 90 milionë euro fut shteti shqiptar nga përqindja që ka më shumë çmimi i naftës tonë.”