Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla përshëndeti vendimin e kuvendit për të rrëzuar dekretin e Metës dhe rimiratuar ndryshimet e Kodit Zgjedhor sipas 5 tetorit.
Duke dalë nga seanca e kuvendit, Balla tha se nga sot ‘Shqipëria jo vetëm ka një Kushtetutë që i ka dhënë mundësinë qytetarëve që në 25 prill të votojnë jo vetëm për subjektin, por edhe për kandidatin në secilën prej listave.’
Ai theksoi se ‘Kuvendi bëri zgjedhjen e duhur dhe të vetme, për mos e futur vendin në një situatë kaosi ligjor’.
Balla komentoi dhe kërkesën e bërë nga presidenti Meta për të kërkuar opinion nga komisioni i Venecias:
“Venecia ishte e qartë në përgjigjen që ktheu. Nuk ishte rast për opinion urgjent. Shqipëria s’ka bërë shpikje alla shqiptarçe. Kemi marrë modelet më të mira të listave të hapura, kroat, çek, holandez, suedez e austriak. Ka një ndërthurje mes partisë dhe kandidatëve.”
Balla i kërkoi Metës që të heqë dorë nga etiketimet në drejtim të Kuvendit:
“Përpjekja për të identifikuar Kuvendin si ilegjitim nuk qëndron.”