
Partia Demokratike ka akuzuar kryeministrin Rama se po bën propagandë me procesin e rindërtimit, duke deklaruar se ka hedhur miliona euro nga buxheti i shtetit për rindërtimin.
Përmes përfaqësuesit të saj Dorian Teliti, PD thotë se një vit pas tërmetit, Rama ka ndërtuar gjithsej vetëm 48 shtëpi nga 3,389 të dëmtuara, pra 1.4 përqind e totalit.
Në një postim në Facebook, Teliti shkruan se në Thumanën e goditur më rëndë nga tërmeti, Rama nuk ka ndërtuar asnjë shtëpi, asnjë godinë publike.
Teliti paralajmëroi se këtë vit banesat e qytetarëve të dëmtuar nuk do të mund të ndërtohen, ndryshe nga sa premton Rama:
“Treguesi më i drejtpërdrejtë i dështimit me rindërtimin është vendimi i Ramës në shtator për përgjysmimin e financimit në buxhetin 2020 për fondin e rindërtimit akorduar për FSHZH.
Që banesat e qytetarëve nuk do të ndërtohen këtë vit e tregon qartësisht heqja e fondeve të parashikuara për rindërtimin nga buxheti i këtij viti.”
Më herët Rama deklaroi se 270 familje në Shijak, shtëpitë e të cilave u dëmtuan rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit, do të futen në shtëpi të reja brenda vitit 2020.