Amerikanët janë duke votuar për presidentin, por votat e tyre nuk zgjedhin direkt Presidentin e SHBA-ve.
Presidenti amerikan zgjidhet indirekt, në një sistem që kombinon demokracinë – pra votën popullore – me federalizmin, që i jep peshë të gjitha shteteve në zgjedhjen e presidentit.
Neritan Sejamini shpjegoi në ‘Me pak fjalë’ në Euronews Albania këtë proces, i cili përbëhet nga dy hapa:
Fillimisht, votuesit zgjedhin përfaqësuesit e tyre që quhen elektorë dhe pastaj disa javë më vonë grupi i elektorëve, i quajtur kolegj zgjedhor, zgjedh presidentin me shumicë votash.
Elektorët zgjidhen në bazë të shteteve.
Secilit shtet i caktohet një numër elektorësh. Numri i elektorëve është i barabartë me numrin e deputetëve të shtetit, kongresmenë, plus 2 — numri i senatorëve që ka çdo shtet.
Për shembull, Nju Jorku ka 29 elektorë sepse ka 27 përfaqësues në Kongres dhe dy senatorë.
Përveç 50 shteteve, elektorë ka edhe kryeqyteti amerikan Uashingnton DC, pavarësisht se ai nuk ka as senatorë dhe as kongresmenë.
Momentalisht amerikanët zgjedhin në total 538 elektorë. Për të zgjedhur presidentin e Amerikës duhen të paktën 270 vota elektorale. Pra, çdo shtet ka një numër elektorësh apo votash elektorale, të cilat përdoren për zgjedhjen e Presidentit të SHBA-ve. Në 48 nga 50 shtetet, partia që merr shumicën e thjeshtë të votave elektorale fiton.
Për shembull, nëse në shtetin e Floridës ka rreth 14,5 milionë votues, mjafton që një nga dy partitë të marri qoftë edhe një votë më shumë se tjetra dhe të 29 votat elektorale të Floridës i shkojnë kësaj partie. Pra, nëse një kandidat merr 7 milion vota dhe tjetri merr 7 milionë e 1 votë, të 29 elektorët i shkojnë këtij të fundit.
Vetëm dy shtete, Mein dhe Nebraska, i ndajnë votat e tyre elektorale në mënyrë më proporcionale mes kandidatëve — një pjesë e elektorëve i shkojnë autmatikisht kandidatit që ka marrë shumicën e votave, ndërsa pjesa tjetër ndahen proporcionalisht mes të dy kandidatëve.
Edhe pse numri i elektorëve varet nga popullsia e çdo shteti, në të vërtet ai favorizon shtetet e vogla.
Kështu, Kalifornia ka pothuajse 40 milionë banorë dhe 55 elektorë, pra një votë elektorale për rreth 727 mijë banorë. Ndërsa Uajoming ka 579 mijë banorë dhe 5 vota elektorale që i bie një votë për 193 mijë banorë.
Për shkak të kolegjit elektoral që garanton një numër minimal votash elektorale për çdo shtet, është e mundur që një kandidat të bëhet President edhe pa marrë shumicën e votave të amerikanëve, pasi mund të marrë shumicën e votave elektorale.