Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj takoi të premten homologun e tij në Kosovë, Agim Veliu.
Në një postim në Facebook, Lleshaj tregon se tema e diskutimit mes tyre ishin lufta kundër terrorizmit, migracionit të paligjshëm, krimit të organizuar e trafikut të drogës.
“Sot në Prishtinë pata një takim zyrtar me Ministrin e Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, z. Agim Veliu dhe delegacionin që e shoqëronte. Dakordësuam se bashkëpunimi në fushën e sigurisë është i një rëndësie të veçantë, por edhe kusht i ndërtimit të marrëdhënieve në fushat e tjera të interesit të përbashkët.
Lufta kundër terrorizmit dhe parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm, kundër migracionit ilegal, trafikimit të qenieve njerëzore, lufta kundër trafikimit të narkotikëve, krimit të organizuar, por edhe siguria publike në përgjithësi janë fushat ku punohet për të thelluar bashkëpunimin policor. Gjatë takimit u diskutuan çështje të forcimit të marrëdhënieve në fushën e rendit dhe sigurisë publike.”
Lleshaj pohoi se me Veliun ranë dakort të ngrenë grupe të përbashkëta për të zbatuar më mirë marrëveshjet e bashkëpunimit policor mes dy vendeve.