Ambasada gjermane për Exit News: Ende objektiv i presidencës gjermane të mbajë konferencën me Shqipërinë brenda vitit

Nga Exit News
Ambasada gjermane për Exit News: Ende objektiv i presidencës gjermane të mbajë konferencën me Shqipërinë brenda vitit

“Është ende objektiv i presidencës gjermane të Këshillit të BE-së që të ketë një konferencë të parë ndërqeveritare me Shqipërinë brenda presidencës sonë, domethënë deri në fund të këtij viti.”

Kështu deklaroi Enrico Günther, zëdhënës për shtyp i ambasadës gjermane në Tiranë, pyetur nga Exit News.

Në përgjigjen e tij Günther theksoi se mbajta e konferencës varet nga përparimi që Shqipëria do të bëjë për reformat e kërkuara:

“Nëse kjo do të jetë e mundur varet nga progresi i reformave shqiptare, sipas konkluzioneve të Këshillit të Marsit 2020, si dhe diskutimeve të vazhdueshme në Bruksel për të krijuar një konsensus të mbështetur nga vendet anëtare të BE.”

Më herët Ministrat për Europën të Gjermanisë Michael Roth, Sllovenisë Gašper Dovžan dhe Portugalisë Ana Paula Zacarias kanë biseduar për vazhdimin e politikave të zgjerimit për vitin 2021 – Gjermania ka aktualisht presidencën e Këshillit Europian deri në 31 dhjetor 2020, ndërsa në vitin 2021 presidenca do t’i kalojë Portugalisë dhe Sllovenisë.

Në një deklaratë zyrtare, pas takimit, ministrat u shprehën se tre vendet e BE-së po punojnë për hapjen e konferencave të para për pranimin në BE me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

“Cilido vend që mban Presidencën e Këshillit duhet të angazhohet në negociata të vazhdueshme dhe shpesh komplekse në mënyrë që të bëjë përparim, veçanërisht për çështjet që kërkojnë kompromis,” shkruhet në lidhje me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>