Grupimi studentor ABC Tirana Club i është drejtuar me një letër publike kryetarit të Këshillit Bashkiak të Tiranës, Toni Gogu dhe kryetarit të bashkisë Erion Veliaj, ku kërkojnë shtim të vëmendjes dhe fondeve publike për bibliotekat e lagjeve në shërbim të komunitetit, sidomos për të rinjtë.
Për studentët oferta e bibliotekave të lagjeve mbetet ende shumë modeste në raport me nevojat dhe kërkesat që ka komuniteti, sidomos për nxënësit dhe studentët.
“Kryeqyteti ka nevojë për biblioteka të reja. Se ka njësi administrative që nuk e kanë një të tillë, Bibliotekat ekzistuese ende nuk janë të përshtatura me kohën e zhvillimit të pandalshëm teknologjik, si dhe përhapjes në shkallë të gjerë të internetit në rradhët e popullsisë. Tirana e së sotmes dhe Tirana e së nesërmes mbeten me ‘ndriçim të zbehtë’ kur vlerëson gjendjen aktuale të rrjetit të bibliotekave publike në territorin e bashkisë më të madhe të vendit”, thuhet mes të tjerave në letrën e ABC Tirana Club.
Bashkëlidhur me letrën publike, studentët u kanë nisur autoriteteve lokale të Tiranës dhe një material studimor, një shqyrtim faktografik dhe analizë ekspsertësh, mbi situatën aktuale të bibliotekave të lagjeve në kryeqytet. Aty përfshihen dhe gjetjet e një sondazhi me qytetarët, aspekte që kërkojnë zgjidhje konkrete nga pushteti vendor.
“Si një grupim studentor kemi kuptuar se përmirësimi i gjendjes, i bën mjediset e bibliotekave më të hapura dhe funksionale për qytetarët, më dinamike, më atraktive dhe më të dobishme. Që të afrojnë veçanërisht më shumë nxënës dhe studentë në shërbim të edukimit, kulturimit dhe argëtimit të tyre”, thuhet në letrën e ABC Tirana Club.
Studentët janë në një fushatë informimi dhe ndërgjegjësimi, në kuadër të projektit të tyre “Biblioteka e lagjes sime”, që ka nisur në muajin maj të këtij viti.
Ata mbështeten financiarisht nga LevizAlbania, një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, SDC.