![edi rama Rama: Nuk kemi blerë më shumë tampone se nuk kanë kërkuar ekspertët](https://exit.al/wp-content/uploads/2020/11/edi-rama565.jpg)
Kryeministri Edi Rama deklaroi të hënën se Shqipëria nuk rrit numrin e testimeve, jo sepse nuk ka para, por sepse Komiteti i Ekspertëve nuk e ka kërkuar këtë.
“Kjo ka qenë strategjia e komitetit ekspert. Nëse do të na thonin që të merrni më shumë tampone do u blenim,” deklaroi kryeministri duke folur në kuvend.
Ai tha se asnjë vend ‘nuk ka testuar për të testuar’:
“Strategjia e testimit lidhet me identifikimin dhe gjurmimin. Nuk testohet për të testuar. Në momentin kur ndjen simptoma të dyshimta por jo shqetësuese në pikën që të shkosh në spital, karantinohu dhe merr mendimin e mjekut të familjes.
Autoritetet në Itali nuk të bëjnë tamponin nëse nuk ke simptoma të caktuara. Asnjë shtet, në këtë valë nuk bën më atë që bënte në periudhën e mëparshme.”
Rama tha se ka vetëm një mënyrë për të gjykuar situatën: sa viktima dhe sa raste ke:
“Nëse nuk je në gjendje alarmi për këto elementë, do të thotë që po bën një punë të mirë.”