
Presidenti Meta ka takuar të mërkurën ambasadorin e ri të OSBE-së në Tiranë Vincenzo Del Monaco.
Përmes një postimi në Facebook, Meta shkruan se me Del Monacon ka folur mbi rëndësinë që ka prania e OSBE-së në Tiranë:
“Vlerësova rëndësinë e OSBE-së për Shqipërinë, si Organizata e parë shumëpalëshe në të cilëm aderuam pas rënies së komunizmit, si dhe kontributin ndër vite të saj në drejtim të forcimit të demokracisë dhe shtetit ligjor në vendin tonë.
Theksova se Prania e OSBE-së duhet të luajë një rol më të rëndësishëm në mbështje të reformave strategjike në kuadër të nisjes së negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian, veçanërisht në fushën e zgjedhjeve, demokracisë, sundimit të ligjit, forcimit të institucioneve të pavarura, respektimit të të drejtave të njeriut dhe luftës kundër krimit e korrupsionit.”
Ambasadori i ri i OSBE-së Vincenzo Del Monaco është prezantuar të hënën përpara stafit të misionit në Tiranë.
Ai do të zëvendësojë ambasadorin Berndt Borschardt, të cilit i ka mbaruar mandati i tij.