Kryeministri Edi Rama ka reaguar me anë të një postimi në faqen e tij në Facebook kundër kritikave për projektin e stadiumit të ri kombëtar veçanërisht prishjes së kompleksit onumental nga ky ndërtim. Në postim, Kryeministri ka “sqaruar” se fasada e stadiumit nuk do të prishet, por do të ruhet në brendësi të projektit si një hyrje për Muzeun e Kombëtares së Futbollit.
Kjo, sipas Kryeministrit Rama, duhet ti hapë sytë atyre që nuk janë qorra, por që hapin gojën vetëm për të baltosur çdo ide apo projekt.
Por Zotit Rama, ndoshta nga nervozimizmi për kritikat, i ka shpëtuar një detaj: asnjë nuk mund t’i shikonte më parë ato pamje, pasi ato nuk ishin bërë publike asnjëherë dhe ishin në dorë vetëm të kompanisë, të FSHF-së dhe mesa duket të Kryeministrit, pa miratimin fillestar të cilit asnjë kompani nuk do të ishte përfshirë në proçedurat e tenderit.
Me publikimin e skicave të fasadës historike të përfshirë në projektin e ri dhe me mbrojtjen përmes ofendimeve të një projekti që do të ndryshojë thelbësisht kompleksin arkitektonik italian të Sheshit “Nënë Tereza”, Kryeministri Rama dëshmoi se tenderi i stadiumit ishte i rremë—projekti nuk i ështe kërkuar arkitektit Casamonti nga kompania ndërtuese për të mundësuar pjesëmarrjen në garë, por ka qënë vetë Kryeministri Rama i cili ka zgjedhur kompaninë që duhet të ndërtonte projektin e tij,dhe procedura e tenderit ishte vetëm mbulesa e një marrëveshje të vendosur më parë në të tjera vende.
Krijuesi i ligjeve shqiptare mbi transparencën administrative vazhdon t’i fshehi qytetarëve informacionet e nevojshme për të mundësuar vlerësimin e veprimeve të qeverisë, dhe ofendon dhe shan qytetarët, opinionistët dhe gazetarët mbi bazën e të dhënave dhe informacioneve që vetë ai ja fsheh opinionit publik, ashtu si ka ndodhur më parë në rastin e Parkut të Liqenit, madje në këtë rast dokumentat nuk ekzistonin fare.
Kjo sjellje arrogante shpjegon delirin arkitektonik të Ramës, i uritur nga dëshira për të lënë shenjë me çdo kusht në arkitekturën e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë, për të hyrë përfundimisht në histori, edhe me koston e shkatërrimit apo tjetërsimit të asaj pak trashëgimie që historia na ka lënë, sikurse është e qartë me neonet e Parrenos, parasitë të vërtetë kulturorë në fasadën e Kryeministrisë.
Kështu njëri pas tjetrit po dalin në pah dhe do të vazhdojnë të dalin në pah (…akoma nuk keni parë asgjë!) detaje të tjera (domethënë, ndërtime) të cilat Kryeministri tashmë ka vendosur të realizojë në zemër të Tiranës dhe në Parkun e Liqenit, e cila në të ardhmen do të mund të quhet “Tirana e Ramës”.
Kjo është nevoja e tij narçistike dhe egocentrike, faturën e së cilës po e paguajnë qytetarët, të cilëve vazhdon t’u vidhet ajri, e ardhmja dhe prona publike, në emër të një përparimi i cili është i destinuar të ndërtojë vetëm Mauzoleumin e Madh të Ramës.
Piramida e Enver Hoxhës ka kushtuar më pak.