Partia Demokratike akuzoi qeverinë Rama se po zvarrit punimet për shkollën e dëmtuar nga tërmeti në Thumanë ‘Ramazan Jongozi’ për shkak të procedurave korruptive.
Në një deklaratë për median, përfaqësuesi i saj Çlirim Gjata tha se shkolla ishte rikonstruar disa muaj para tërmetit të 26 nëntorit 2019:
“Për të u harxhuan 587 milion lekë nga taksat e qytetarëve.”
Por vetëm pak muaj pas punimeve, tërmeti i 26 nëntorit e dëmtoi rëndë shkollën.
Sipas Gjatës, “shkolla u rrafshua brenda natës nga fadromat, në mënyrë që nga vjedhja e fondeve dhe abuzimit skandaloz kriminal të mos ngelej gjurmë, duke zhdukur vjedhjen. Kështu, 587 milion lekë avulluan vetëm 3-muaj pas rikonstruksionit.”
Ai akuzoi qeverinë se nuk do t’ia dijë për sigurinë e fëmijëve, por duan vetëm të vjedhin në çdo kohë e në çdo vend, deri te shkollat dhe kopshtet e fëmijëve.
Gjata theksoi se ende sot, një vit pas tërmetit, nuk dihet ende se ç’po ndodh sot me fondet e rindërtimit të kësaj shkolle simbol të korrupsionit dhe hajdutërisë së kësaj qeverie.