Deputetja Rudina Hajdari, e cila në zgjedhjet e ardhshme do të kandidojë me partinë ‘Nisma Thurje’ ka deklaruar se nuk do të bëjë koalicion me partitë e vjetra.
Në një intervistë për Report TV, Hajdari është shprehur se partia në të cilën ajo bën pjesë e përjashton ‘klasën e vjetër politike’.
‘Koalicionet nuk ekzistojnë me një klasë të vjetër politike sepse nuk mund të bëhesh i besueshëm. Në momentin që i bëjmë premtime qytetarëve t’i mbajmë dhe shumë qytetarë të përfaqësojnë në mënyrë dinjitoze. Hapësira është se ka shumë njerëz që nuk votojnë sot dhe i quajnë aktorët politikë shumë të ngjashëm’, deklaroi Hajdari.
Sipas saj është e rëndësishme që të ngrihet një klasë e re politike në Shqipëri. Hajdari deklaroi se klasa e vjetër duhet të marrë ndëshkimin e duhur për korrupsionin. Ajo bëri fajtore partitë e vjetra për faktin që Shqipëria nuk është ende pjesë e BE-së.
Sa i takon kandidimit të saj si deputete në Shkodër, Hajdari deklaroi se nuk është ende zyrtare.
‘Unë krahas angazhimeve në Tiranë po merrem edhe me zona të tjerë siç është Shkodra, por po merrem edhe në qytete të tjera. Në momentin që do vendosen kandidaturat do ta kemi edhe zyrtare. Është ende herët për ta zyrtarizuar. Ne jemi ende duke bërë aktin e themelimit, statusin e partisë dhe regjistrimin”, tha ajo.
Deputetja Rudina Hajdari iu kundërpëgjigj dekalratave që forcat e reja i shërbejnë kryeministrit Rama, duke thënë se këto deklarata vijnë nga forcat që duan të mbajnë statusin e tyre.
‘Ajo parti që i shërben Qeverisë Rama është ajo parti që braktisi betejën politike. Nuk mund të jetë kurrë një shërbyes i qeverisë kur përballësh me të, siç unë i kam pasur me Kryeministrin Rama. Shpesh kam denoncuar dhe kam luftuar fort në betejën për ndryshimin e pushtetit. Partitë e reja janë një gjë pozitive. Partitë e vjetra kanë dashur ta ndajnë bakllavanë mes veti’, deklaroi ajo.
Nisma Thurje zyrtarizoi, të shtunën, angazhimin e saj për zgjedhjet e 25 prillit përmes një prezantimi virtual të ideve dhe të skuadrës së saj.
Zërat kryesore të Nismës, Panajot Sako, Endri Shabani e Rudina Hajdari i bënë thirrje qytetarëve të bashkohen me ta për të luftuar klasën e vjetër politike, që prej 30 vitesh ka vjedhur dhe varfëruar qytetarët.