Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka publikuar në rrjetet sociale videon e një qytetari, i cili është shprehur për “News 24” se nëna e tij nuk po shtrohet në spitalin COVID 2 se nuk ka shtretër të lirë.
Sipas kreut të opozitës ky është realiteti që po përjetojnë të sëmurët me COVID-19 në Shqipëri.
Qytetari në videon e publikuar nga Basha shprehet i indinjuar që nëna e tij po trajtohet në ambulancë dhe shton se situata është e papërballueshme edhe nga ana ekonomike.
Kreu i demokratëve në mesazhin e tij në Twitter thekson se nuk duhet të kishim ardhur në këtë pikë. Ai rikujton se opozita ka bërë thirrje që të merreshin masa më parë ndërsa akuzon qeverinë se bën propagandë dhe gënjen.
“Kjo është e vërteta e tmerrshme që po përjetojnë të sëmurët me covid dhe familjarët e tyre. Nuk duhet të kishim ardhur në këtë pikë! Kësaj i druheshim, prandaj kërkuam prej fillimit të merreshin masa serioze dhe të bëhej gjithçka për ti dalë të keqes para. Boll më me propagandë dhe gënjeshtra”, shkruan ndër të tjera Basha.