Zëvendës ministri i Bujqësisë Roland Kristo tha të martën se në dy muaj vetëm 1500 fermerë janë pajisur me NIPT.
Në një intervistë për Report Tv, Kristo tregoi situatën e fermerëve që pas njoftimit të qeverisë për përfitimin e naftës 50% më lirë.
Kristo ka thënë se synimi i Minsitrisë së Bujqësisë është që numri të rritet dhe për këtë do të nisnin fushatë ndërgjegjëismi.
“Aktualisht Ministria është duke përfunduar udhëzimin përkatës. Fondet janë vënë në dispozicion, janë rreth 10 milionë dollarë. Do të kemi edhe një fushatë ndërgjegjësimi rreth një muaj që do t’i bëjmë thirrje fermerëve që të pajisen me NIPT, pasi është kusht i panegociueshëm”, ka thënë Kristo gjatë një interviste.
Sa i takon aplikimit për tu pajisur me NIPT, Kirsto ka thënë se do të kryhet online, në portalin e-Albania.
“Ajo që do ta rrisë në mënyrë të menjëhershme është periudha e hapjes së thirrjes, e cila do të bëhet në e-Albania. Do të jetë e gjitha online”, ka shpjeguar zëvendës ministri i Bujqësisë.
Qeveria hoqi disa javë më parë akcizën, taksën e qarkullimit dhe të karbonit nga nafta për fermërët me numër identifikimi ekonomik (NIPT).
Më 23 nëntor, Ministri i Bujqësisë Bledi Çuçi në një takim me fermerët në Fier tha se ky vendim do të hyjë në fuqi në fillim të 2021. Sipas vendimit të qeverisë nafta e përdorur për punimin e tokës do të jetë pa taksa.