Avokati i Popullit shprehu shqetësimin për shkeljen e procesurave për ndalimin dhe shoqërimin e të miturve gjatë protestave kundër vrasjes së Klodian Rashës.
Në një reagim në Facebook, Avokati i Popullit shprehet se të miturit duhet të trajtohen në një mënyrë të posaçme që respekton dinjitetin e tyre, duke theksuar se është detyrë e shtetit mbrojtja kundër dhunës.
“Avokati i Popullit shpreh shqetësimin institucional, se në mënyrë të përsëritur, vërehet mungesa e zbatimit të rregullave, procedurave dhe standardeve të parashikuara në Kodin e Drejtësisë Penale për të Mitur, për shoqërimin/ndalimin e të miturve nga forcat e rendit.
Sjellim në vëmendje të autoriteteve, se:
fëmijët duhet të trajtohen në atë mënyrë, që promovon ndjenjën e tyre të dinjitetit njerëzor dhe vlerave, që lehtëson riintegrimin e tyre në shoqëri (të miturit në konflikt me ligjin), që pasqyron interesin më të lartë të fëmijës dhe, merr parasysh nevojat e moshës, pavarësisht rrethanave.
Të gjithë jemi të vetëdijshëm, që lufta kundër ushtrimit të dhunës është përgjegjësi e shtetit.”
Avokati i Popullit pohoi se ka nisur hetim administrativ për këtë çështje.