Gjykata e Shkallës së Parë Durrës ka pranuar sot kërkesën për pushimin e hetimeve në ngarkim të ish-drejtorit të Kadastrës Liridon Pula dhe Shefes së zyrës Juridike Lusiena Kolaj.
Gjykata argumentoi se veprimet e ndërmarra ndaj tyre nga prokuroria e Durrësit ishin arbitrare dhe të kundraligjshme, raporton “News 24”.
Liridon Pula u arrestua në shtator të 2019 pasi akuzohej për regjistrimin dhe lëshimin e certifikatave të pronësie në një prej fshatrave turistikë në Gjirin e Lalzit.
Ai u lirua rreth një muaj më vonë nga Apeli i Durrësit dhe u la në masën detyrim paraqitje.
Vendimi i sotëm i gjykatës, që pushon hetimet, mbyll një nga çështjet më të diskutuara në Durrës, për të cilën janë shprehur kryeministri Rama dhe zv.kryeministri Braçe.
Rasti i ish drejtorit të Hipotekës së Durrësit u bë i njohur për shkak të sulmeve që zëvendëskryeministri Erion Braçe dhe kryeministri Edi Rama bënë ndaj prokurorit Arian Ndoja.
Braçe ishte i pranishëm në seancën gjyqësore dhe menjëherë pas vendimit të gjykatës për të lënë në burg drejtorin e Hipotekës, sulmoi prokurorin e çështjes, Arjan Ndoja se po bënte “presion kriminal” ndaj të akuzuarit Pula.
Sulmet ndaj prokurorit në atë kohë u dënuan nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë ashtu dhe nga Shoqata e Gjyqtarëve.
Pak javë pas këtyre deklaratave prokurorit Ndoja iu bë atentat ku ai mbeti i plagosur.