Policia greke ka lëshuar një urdhër arresti për Klemend Balilin, drejtor i Drejtorisë së Transportit Rrugor Sarandë, me akuzën e trafikut të lëndëve narkotike dhe pjesëmarrjes në organizatë kriminale.
Sipas agjencisë BIRN, vendimi për arrest ka ardhur pas një hetimi mbi një vjeçar të policisë greke, në bashkëpunim me shërbimet antidrogë amerikane dhe policinë shqiptare, kundër një organizate kriminale e cila trafikonte drogë nga Shqipëria në drejtim të Greqisë dhe vendeve të tjera të BE-së.
BIRN i referohet një njoftimi të policisë greke që shprehet se Balilit “i ishte besuar roli i financuesit, por edhe drejtimit të transporteve nga Shqipëria drejt Greqisë dhe Evropës, në rrugë rrugore me kamionë dhe në rrugë detare me skafe.”
Gjatë periudhës 2014-2016, policia greke, britanike dhe bullgare kanë sekuestruar rreth 2,4 ton marjuanë dhe 23 kilogramë kokainë të trafikuara nga kjo organizatë.
Sipas mediave greke, drejtuesit kryesorë të kësaj organizate janë pikërisht Klemend Balili, 44 vjeç, dhe një tjetër shtetas shqiptar Dhimitër P., 50 vjeç.
Në vitin 2006, Klemend Balili u arrestua nga policia shqiptare gjatë një operacioni antidrogë, por nuk ka të dhëna nëse ai është dënuar.
Nga mediat bëhet e ditur se Balili është pronar i një hoteli në Butrint dhe i një kompanie të sigurisë fizike. Nipi i tij, Rigels Balili, 31 vjeç është pronar i një kompleksi lluksoz turistik në Sarandë. Ky i fundit është kryetar i Bashkisë Delvinë, si përfaqësues i LSI-së.
Në vitin 2014, kur Klemend Balili u emërua drejtues i transportit rrugor të Sarandës, Partia Demorkatike e akuzoi atë për përfshirje në trafik droge dhe aktivitete të tjera kriminale. Këto akuza u anashkaluan nga qeveria dhe Zoti Balili vazhdon të ushtrojë detyrën e tij.
Pavarësisht, nga akuzat e policisë greke të referuara nga mediat, policia shqiptare nuk ka bërë asnjë reagim publik deri tani.