Në deklaratën e tyre të parë pak pasi u bë funksionale të enjten, Gjykata Kushtetuese falënderoi partnerët ndërkombëtarë për kthimin në funksion të gjykatës gati tre vjet pasi reforma në drejtësi la vendin pa gjykatën më të lartë.
“Ky proces ka qenë i gjatë e kompleks dhe ka kërkuar bashkëpunimin e shumë institucioneve shtetërore dhe më gjerë. Gjithashtu një mirënjohje e veçantë shkon edhe për mbështetjen e pakursyer të dhënë nga partnerët ndërkombëtarë për përmbylljen me sukses të këtij procesi.” shkruhet në deklaratën e publikuar në faqen zyrtare.
Gjykata pohoi se vendi ka patur mungesë të këtij institucioni “jetik” për rreth 3 vite, që prej marsit të 2018 dhe premtoi se do ” ushtrojë funksionet me integritet dhe qëndrueshmëri për përmbushjen e misionit të saj kushtetues”
Të enjtën u betua anëtari i gjashtë i GJK, Përparim Kalo. Tashmë gjykata ka kuroumin e duhur për të marrë vendime.