Partia Demokratike akuzoi qeverinë se ka shkelur Kushtetutën me projektin e rehabilitimit të Lumit të Vlorës pasi nuk negocioi kushtet e marrëveshjes dhe nuk mori plotfuqishmërinë nga Presidenti.
Në një deklaratë për mediat, Dorian Teliti deklaroi se qeveria u tregua e papërgjegjshme duke anuluar këtë projekt.
“Anulimi i projektit për Rehabilitimin e Lumit të Vlores, duke lënë në mes dhe të papërfunduar një investim të nisur prej kohësh, aq të nevojshëm për banorët e zonës, është tregues sesa pa plan, pa vizion dhe sa i dështuar është Edi Rama.
Pasi i ka hequr fondet nga rruga e Lumit të Vlorës, ajo nuk ka respektuar ligjin për të negociuar siç duhet termat e marrëveshjes së re të borxhit. Kushtetuta dhe ligji detyrojnë qeverinë që për çdo marrëveshje të re borxhi, të marrin tek Presidenti i Republikës plotfuqinë per të negociuar.
Kreu i shtetit ka bërë publik disa dokumenta që provojnë se kjo nuk ka ndodhur.”
Teliti u shpreh se Ministrja e Financave pohoi se ende nuk ka negociata për kostot e këtij projekti, ndryshe nga sa pohoi Rama.
Ai shtoi se vendi ka nevojë për një ndryshim, i duhet një qeveri që i ndihmon dhe hap vende të reja pune, një qeveri që respekton ligjin dhe garanton rrugën drejt Bashkimit Europian.